“Na mungoi një bllok i tërë. Po vuajmë për shkak të Shqipërisë”, deklaron trajneri. Kostiç: “Humbja më e rëndë në karrierën time.”
Ëndrra e Serbisë për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 është shuar përfundimisht. Kombëtarja serbe nuk arriti të sigurojë një vend në fazën përfundimtare të turneut më të madh të futbollit botëror, duke mbyllur një fushatë zhgënjyese me kritika të forta nga brenda ekipit.
Pas ndeshjes së fundit, kapiteni Filip Kostiç shpërtheu me një deklaratë të drejtpërdrejtë, ku identifikoi mungesën e drejtimit dhe përgatitjes si arsyet kryesore të dështimit:
“Sikur të kishim pasur përzgjedhësin dhe punën që kemi pasur këto ditë të fundit, me siguri do të kishim arritur rezultate shumë më të mira, do të ishim të dytët dhe nuk do të kishim humbur ndaj Shqipërisë. Ajo ishte humbja më e rëndë në karrierën time, dhe për këtë po vuajmë të gjithë tani.”
Trajneri Veljko Paunoviç, i cili mori drejtimin vetëm në fazën përfundimtare të kualifikimeve, i bashkoi zërin kritikave, duke e quajtur humbjen ndaj Shqipërisë “goditje vendimtare” në rrugën drejt eliminimit.
“Na mungoi një bllok i tërë në ndërtimin e skuadrës. Dhe e vërteta është se vuajtja jonë filloi që me atë disfatë kundër Shqipërisë”, u shpreh ai për mediat serbe.
Serbia e përfundoi grupin me një paraqitje të paqëndrueshme dhe pa identitet të qartë në fushë. Humbja ndaj Shqipërisë jo vetëm që tronditi opinionin publik, por ndau përfundimisht ekipin nga zona e kualifikimit.
Nën performancën e dobët fshihet një krizë më e thellë, që sipas vëzhguesve sportivë përfshin përçarje në dhomat e zhveshjes, vendime të diskutueshme teknike dhe mungesë të qartësisë në drejtim.
Dështimi në këto eliminatore pritet të sjellë pasoja të mëdha për Federatën Serbe të Futbollit, me ndryshime të mundshme në krye të stafit teknik dhe drejtuesve. Në horizont, Serbia përgatitet për një fazë të re rindërtimi – por hije e Shqipërisë dhe humbja historike ndaj saj do të mbetet gjatë në kujtesën e futbollit serb.