
Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra ka vijuar të hënën përgatitjet për dy ndeshjet e para në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2026”. Vajzat e përzgjedhura nga trajneri Agron Shabani do të përballen me dy prej kombëtareve më të forta në kontinent – Francën dhe Kroacinë.
Sfida e parë zhvillohet të mërkurën në Nimes, ku Kosova do të përballet me kampionen aktuale të botës, Francën. Të dielën, në Prishtinë, vashat dardane do të presin Kroacinë, një tjetër ekip me peshë në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht sfidave dhe mungesave të shumta në skuadër – për shkak të lëndimeve dhe tërheqjes nga sporti të disa prej lojtareve me përvojë – selektori Shabani shprehet i kënaqur me angazhimin e brezit të ri.
“Ndeshjet me Francën dhe Kroacinë janë të një niveli shumë të lartë, por për ne paraqesin një mundësi të jashtëzakonshme për të fituar përvojë dhe për të zhvilluar më tej lojën tonë. Objektivi kryesor është të paraqitemi me dinjitet, me angazhim maksimal dhe të nxjerrim mësime për të ardhmen”, theksoi Shabani.
Ai shtoi se kjo është një periudhë ndërtimi dhe transformimi për përfaqësuesen tonë, ndaj sfidat e këtij niveli janë të mirëseardhura për rritjen e skuadrës.
Bytyqi: Përballjet me gjigantët na ndihmojnë të rritemi
Njëra nga lojtaret kyçe të Kosovës, Mirjeta Bytyqi, do të mbajë shiritin e kapitenes në dy përballjet e radhës. Bytyqi vjen nga një fundjavë e shkëlqyer në Zvicër, ku realizoi 14 gola nga 15 tentativa për skuadrën Spono Eagles.
Ajo e ka sjellë këtë energji pozitive edhe në grumbullimin me përfaqësuesen dhe është e vetëdijshme për nivelin e kundërshtareve.
“Kjo është një periudhë e rëndësishme për zhvillimin e skuadrës sonë të re. Të përballemi me Francën dhe Kroacinë është një sfidë e madhe, por gjithashtu një mundësi unike për të fituar përvojë dhe për të ndërtuar një ekip të fortë për të ardhmen. Duhet të tregojmë kurajë, disiplinë dhe shpirt të lartë ekipor”, u shpreh kapitenia Bytyqi.
Skuadra e Kosovës ka udhëtuar të martën drejt Francës, ndërsa ndeshja ndaj “Les Bleues” do të zhvillohet të mërkurën, më 16 tetor, në ora 20:45 në qytetin Nimes.