Trajneri Sherif Topalli, i cili e udhëhoqi Tefik Çangën drejt inkuadrimit në Ligën e Parë, po vazhdon të korrë suksese edhe këtë edicion. Skuadra nga Ferizaj arriti një fitore të madhe me përmbysje ndaj Trepçës ’89, duke triumfuar 3-2 në “Riza Lushta”, Mitrovicë.
Pas ndeshjes, Topalli u shpreh për Kërlaçkin:
“Ishim të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Fillimi nuk ishte i mirë, pasi pas dy gabimeve në mbrojtje pësuam dy gola. Megjithatë, më pas morëm iniciativën dhe në 15 minutat e fundit të pjesës së parë dominuam lojën, duke ngushtuar rezultatin në 2-1. Në pjesën e dytë vazhduam me të njëjtin ritëm, qarkulluam topin dhe krijuam raste për shënim, çka na solli edhe dy gola të tjerë dhe fitoren. E rëndësishme ishte që futbollistët treguan karakter të lartë gjatë gjithë ndeshjes. Na mbetet të punojmë edhe më fort, sepse na presin sfida të tjera. Faleminderit ekipit vendas për mikpritjen.”
Pas katër javësh kampionat, Tefik Çanga e udhëhequr nga Topalli ka arritur dy fitore, një barazim dhe një humbje, duke konfirmuar se është një skuadër konkurrente në Ligën e Parë.
