Kalo te përmbajtja
Monday, 15 June 2026
Bundesliga

Shpërthim në Bundesligë – sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, po shkëlqen me Hoffenheimin

Në Kombëtaren e Kosovës është zgjedhja e tretë për repartin e sulmit, por në Bundesligë po tregon formë të jashtëzakonshme. Fisnik Asllani, sulmuesi 23-vjeçar, u bë protagonist i madh të shtunën, duke realizuar dy gola në fitoren 4:2 të Hoffenheimit ndaj Union Berlinit.

Asllani, i lindur në Berlin dhe i formuar në të rinjtë e Unionit, përjetoi një mbrëmje të veçantë në rikthimin e tij në qytetin dhe klubin ku hodhi hapat e parë të karrierës.

Ky nuk është risi për kosovarin, i cili në xhiron e parë të Bundesligës kishte kontribuar me një gol dhe një asistim në triumfin 2:1 ndaj Bayer Leverkusenit. Në xhiron e dytë mbeti pa ndikim në humbjen nga Eintrachti (3:1), por tashmë ka një bilanc mbresëlënës: tri gola dhe një asistim në tri ndeshjet e para të kampionatit, plus një gol e një asistim në Kupën e Gjermanisë.

asllani
asllani

Në ndeshjen e fundit, Hoffenheimi aktivizoi nga minuta e parë edhe Leon Avdullahun në mesfushë dhe Albian Hajdarin në qendër të mbrojtjes. Avdullahu është tashmë pjesë e Kosovës, ndërsa Hajdari ende nuk ka marrë vendim përfundimtar mes Zvicrës dhe Kosovës.

Mediumi gjerman “Kicker” i kushtoi një analizë të veçantë Asllanit, duke përshkruar kthimin e tij në Berlin dhe faktin se, pavarësisht një rasti të humbur në minutën e pestë, ai nuk u demoralizua – përkundrazi, vazhdoi të kërkonte golin dhe shpërbleu skuadrën me dy realizime vendimtare.

Për herë të dytë këtë sezon, Asllani u shpall lojtari i ndeshjes. “Kjo më mbush me krenari”, deklaroi sulmuesi pas fitores. “Në përgjithësi është shumë, shumë vështirë të fitosh këtu në Berlin. Vitet e fundit e kanë dëshmuar këtë dhe skuadrat tjera kanë dështuar këtu po ashtu. Për këtë jam shumë i lumtur që ishim në gjendje të mposhtim një ekip të mirë të Unionit, ndaj të cilit është gjithnjë vështirë të luhet. Jam shumë krenar për këtë. Është po ashtu qyteti im dhe të shënoj dy gola këtu më bënë krenar”, shtoi ai.

Fisnik Asllani

Asllani u largua nga Union Berlini pas paraqitjeve me ekipin U19, për shkak të mungesës së hapësirës. U transferua te Hoffenheimi, por kaloi periudha huazimi te Austria Wien dhe sidomos te Elversbergu, ku sezonin e kaluar shkëlqeu në Bundesliga 2 me 18 gola dhe 9 asistime në 33 ndeshje. Pas këtij shpërthimi, Hoffenheimi i besoi dhe ai po e shpërblen me paraqitje të mëdha.

“Asnjëherë nuk kam luajtur në këtë stadium kur ishte i stërmbushur. Të shënoj më pas dy gola është gjë shumë e mirë. Shokët janë këtu, familja ime ka udhëtuar për këtë rast, shumë ish-kolegë. Madje edhe mësuesit e vjetër ishin këtu”, tregoi Asllani.

Ai shtoi se është i kënaqur me reagimin e skuadrës pas humbjes ndaj Frankfurtit: “Që nga fillimi i ndeshjes u përmbajtëm kërkesave të trajnerit”.

 

Tani Hoffenheimin e pret një sfidë e madhe – përballja me Bayern Munichun. Për Asllanin, kjo është një mundësi tjetër për të dëshmuar se shpërthimi i tij nuk është i rastësishëm, por një tregues i gatishmërisë për të lënë gjurmë në elitën e futbollit gjerman.