Qeveria Spanjolle kërkon hetim për mundësinë e shkeljes së ligjit për personat me aftësi të kufizuara në festën e Lamine Yamal.
Ministria e të Drejtave Sociale në Spanjë ka kërkuar nga Prokuroria, Avokati i Popullit dhe Zyra për Luftën kundër Krimeve të Urrejtjes që të hetojnë nëse gjatë festës së 18-vjetorit të futbollistit Lamine Yamal është cenuar dinjiteti i personave me aftësi të kufizuara, konkretisht i atyre me shtat shumë të shkurtër, përcjellë “Kërlaçki”.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm për Aftësi të Kufizuara, Jesús Martín, ekzistojnë indicie që në këtë ngjarje janë përdorur persona me këtë lloj gjendjeje në mënyrë denigruese, duke shkelur ligjin që ndalon shfaqjet që përqeshin apo përbuzin personat me aftësi të kufizuara. Ky ligj, që është në fuqi prej gati tre vitesh, nuk parashikon dënime penale, por ndalon qartazi veprimtari të tilla.
Qeveria planifikon që në reformën ligjore që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave të përfshijë si kundërvajtje të rëndë organizimin e shfaqjeve që ekspozojnë në mënyrë nënçmuese persona me aftësi të kufizuara, gjë që mund të ndëshkohet me gjoba nga 600.000 deri në 1 milion euro.
Shqetësim për ndikimin te të rinjtë
Jesús Martín shprehu shqetësimin për ndikimin negativ që një ngjarje e tillë mund të ketë te të rinjtë, duke theksuar se Lamine Yamal është një figurë me shumë ndjekës dhe ndikim në këtë grupmoshë.
“Na shqetëson që persona me ndikim dhe para mendojnë se janë të paprekshëm. Ligji është për të gjithë – për të fuqishmit dhe për të përulurit”, tha Martín. Ai nënvizoi se ministria nuk do të qëndrojë indiferente dhe se hetimet duhet të hapen menjëherë, për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të vepruar në përputhje me ligjin.
Veprime ligjore nga shoqatat për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor
Shoqata e Personave me Akondroplazi dhe Displazi të tjera Skeletore (ADEE), pjesë e Konfederatës Spanjolle të Personave me Aftësi të Kufizuara Fizike dhe Organike (COCEMFE), ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Lamine Yamal. Ata pretendojnë se në festë janë punësuar persona me këtë lloj gjendjeje vetëm për t’u ekspozuar në mënyrë përçmuese.
Në deklaratën e tyre, ata theksojnë se ngjarja nuk përbën vetëm shkelje të ligjit, por edhe një fyerje për dinjitetin njerëzor dhe vlerat etike të një shoqërie që synon barazi dhe respekt.
Ligji spanjoll ndalon qartazi çdo lloj aktiviteti apo shfaqjeje ku një person me aftësi të kufizuara përdoret për argëtim duke shkaktuar të qeshura, përçmim apo tallje nga publiku – duke cenuar kështu thellësisht dinjitetin e tyre.



