Spanja kërcënon bojkotin e Kupës së Botës 2026 në rast të kualifikimit të Izraelit

Spanja ka paralajmëruar se mund të tërhiqet nga Kupa e Botës 2026 nëse Izraeli arrin të kualifikohet në turneun që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Kjo lëvizje vjen në shenjë proteste ndaj veprimeve të fundit të Izraelit në konfliktin me palestinezët.
Sipas raportimeve nga prestigjiozja franceze L’ÉQUIPE, autoritetet spanjolle sportive dhe politike po kërkojnë që FIFA të marrë masa ndëshkuese ndaj Izraelit, të ngjashme me ato që u ndërmorën ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Rusia u përjashtua nga të gjitha garat ndërkombëtare, përfshirë Kupën e Botës 2022.
Spanja thekson se standardet duhet të jenë të njëjta për të gjitha shtetet dhe se një trajtim i ndryshëm për Izraelin do të përbënte një standard të dyfishtë, i papranueshëm për futbollin ndërkombëtar dhe parimet e FIFA-s.
Ky paralajmërim vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe sportiv, teksa kualifikimet për Kupën e Botës janë në zhvillim e sipër dhe tensionet globale rreth konfliktit në Lindjen e Mesme janë në rritje. F
IFA ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar në lidhje me këtë çështje.
