2. November 2025

Superderbi Prishtina–Drita: Emocion, rikthim dhe atmosferë sportive në “Fadil Vokrri”

Prishtina - Drita 2-2

Prishtina - Drita 2-2

Një ndeshje dramatike, me emocione dhe atmosferë të zjarrtë sportive u zhvillua mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Prishtina dhe Drita ndanë pikët me rezultat 2-2, në prani të rreth 4.000 shikuesve.

Në një kohë kur interesi për Superligën është në rënie – madje më i vogël se për Ligën e Parë – kjo ndeshje solli një grimcë shprese se futbolli vendor ende ka çka të ofrojë. Ndeshja u karakterizua nga ritmi i lartë, rikthimi në rezultat dhe një gjykim i drejtë nga gjyqtari Nuza dhe ekipi i tij.

Tifozët e Prishtinës, “Plisat”, sërish mbushën tribunën jugore, por për fat të keq, pati përplasje dhe incidente gjatë pjesës së dytë, çka detyroi disa prej tyre të largoheshin nga stadiumi. Nga ana tjetër, “Intelektualët”, megjithëse të paktë në numër, u dëgjuan mjaft dhe dhanë sinjale të rikthimit të mbështetjes serioze për Dritën.

Sa i përket lojës, Drita dominoi plotësisht pjesën e parë dhe me meritë kaloi në epërsi me dy gola. Në momentin kur pritej të “vuloste” fitoren, ndodhi befasia. Prishtina, me një përbërje të çuditshme në pjesën e parë, reagoi fuqishëm pas ndërhyrjeve nga bankina. Dy zëvendësuesit, Muja dhe Shillova, ishin autorët e golave të barazimit. Në fund, portieri i Dritës, Faton Maloku, ndali një rast të sigurt për Prishtinën, duke ruajtur rezultatin e barabartë.

Prononcimi i Ramadanit

https://www.facebook.com/share/v/17GL1ZW7cM/

Pas ndeshjes, vetëm trajneri i Dritës, Zekerija Ramadani, doli në prononcim për media, duke bërë një analizë korrekte të takimit. Nga kampi i Prishtinës nuk pati asnjë deklaratë – një praktikë që është bërë zakon kohët e fundit, përkundër përgjegjësisë që kanë ndaj publikut dhe opinionit sportiv.

Në aspektin e gjykimit, ndeshja u zhvillua pa kontestime të mëdha dhe konsiderohet e drejtuar në mënyrë korrekte, gjë që nuk pati reagime nga palët.

 

 

 

Fund: Prishtina – Drita 2-2