Trajneri i Copenhagen Neestrup: Ata (Drita) na vështirësuan lojën

Trajneri i F.C. Copenhagen, Jacob Neestrup, u shpreh i kënaqur me fitoren 2-0 ndaj FC Drita të martën në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, duke e konsideruar atë si shpërblim të merituar për punën e palodhur të lojtarëve të tij, përcjellë Kërlaçki.

Magnus Mattsson realizoi dy penallti në pjesën e dytë, duke siguruar fitoren e Copenhagenit në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues kundër Dritës.
“Në përputhje me pritshmëritë, Drita ishte e vështirë për t’u çarë, ndaj na u desh shumë durim. Në përgjithësi, jam i kënaqur që fituam 2-0”, tha Neestrup pas ndeshjes.
“Mendoj se e nisëm shumë mirë pjesën e parë, ndërsa 10 minutat e para të pjesës së dytë ishin më të dobëta, por më pas u përmirësuam vazhdimisht dhe e mbyllëm ndeshjen shumë mirë.”
Ai shtoi se ishin përgatitur për stilin e lojës së Dritës: “E kemi parë që ata luajnë kështu edhe kundër skuadrave pak më të dobëta, në të njëjtin nivel ose edhe më të forta se ne. Ata kanë një mbrojtje solide, ndaj kërkohet një ekuilibër mes durimit dhe ritmit të lojës – gjë që nuk na funksionoi gjithmonë.”
“Na vunë në siklet me lojën e tyre të thellë dhe topat e gjatë, me shumë këndore dhe rivënie anësore, që e ndërprenë ritmin e lojës. Kishte gjëra që mund t’i bënim më mirë, por fitorja 2-0 është një nisje e mirë para udhëtimit në javën që vjen.”
Neestrup theksoi gjithashtu rëndësinë e thellësisë së skuadrës: “Përsëri sot diferencën e bëri gjerësia e skuadrës. U thashë lojtarëve pas ndeshjes se kjo do të jetë thelbësore për të përballuar ngarkesën e madhe të javëve në vazhdim.”
“Mattsson shënoi dy penalltitë dhe nuk kisha asnjë dyshim që do t’i merrte përsipër menjëherë pas hyrjes në lojë. Edhe Moukoko pati një paraqitje të mirë dhe po hedh hapa përpara, por ende nuk është gati të luajë ndeshje të plota njëra pas tjetrës.”
“Kjo vlen edhe për Garananga dhe Clem, të cilët u aktivizuan në mënyrë të papritur pas problemeve shëndetësore të Hatzidiakos dhe tërheqjes së Delaney-t pas nxehjes.”



