
Prishtina Tournament 2025 ndryshon lokacionin dhe datën: Organizatorët paralajmërojnë një përvojë edhe më madhështore. Organizatorët e turneut veror “Prishtina Tournament 2025” kanë bërë të ditur se janë detyruar të ndryshojnë lokacionin dhe datën e mbajtjes së këtij aktiviteti sportiv, me rekomandim të Komunës së Prishtinës dhe në bashkëpunim me grupin punues të organizatës. Sipas njoftimit zyrtar, turneu do të zhvendoset nga sheshi “Ibrahim Rugova” në sheshin “Adem Jashari”, që ndodhet vetëm 100 metra më larg, ndërsa data e re e zhvillimit do të jetë nga 7 deri më 14 gusht 2025. Kjo lëvizje është bërë për të garantuar standardin më të lartë të organizimit, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë logjistik, duke reflektuar përkushtimin e organizatorëve për të ofruar një përvojë të nivelit më të lartë për pjesëmarrësit dhe publikun, përcjellë Kërlaçki.
Arsyet e kësaj zhvendosjeje lidhen me organizimin paralel të aktiviteteve të tjera në zonë, si koncertet dhe festivali “Akull n’Verë”, që pamundësojnë sigurimin e hapësirës së nevojshme për një organizim të përmasave të mëdha. Njëkohësisht, kufizimi i qasjes për shërbimet emergjente, pengesat në qarkullimin e qytetarëve dhe ndikimi i zhurmës nga aktivitetet përreth janë konsideruar faktorë të rëndësishëm që ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe sigurinë e pjesëmarrësve. Organizatorët kanë bërë të ditur se turneu do të pasurohet me elementë të rinj si ndërtimi i tribunave moderne, ndriçimi LED dhe instalime promovuese që do ta rrisin nivelin estetik dhe profesional të ngjarjes. Gjithashtu, janë paraparë masa shtesë për mirëmbajtjen e cilësisë së fushës së gjelbër dhe për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së sportistëve, vizitorëve dhe familjeve që do të jenë pjesë e këtij edicioni.
Në lokacionin e ri, pjesëmarrësit pritet të gjejnë një hapësirë më funksionale në zemër të kryeqytetit, ku do të zhvillohet turneu më i madh i futbollit për fëmijë në vend. Komuna e Prishtinës, së bashku me sponsorët Premium, Gold dhe Silver, do të jenë mbështetësit kryesorë të këtij edicioni, që premton befasi të shumta dhe një atmosferë të veçantë sportive. Organizatorët kanë njoftuar se në ditët në vijim do të bëhet prezantimi zyrtar i ekipeve pjesëmarrëse, ndarja në grupe dhe publikimi i orarit të ndeshjeve. Në turne do të marrin pjesë 16 ekipet më të mira të viteve të fundit në futsall, të cilat do të garantojnë një nivel të lartë gare dhe emocion të vërtetë sportiv, ndërsa grupmoshat U9, U10, U11 dhe U13, si dhe ekipet e vajzave do të zhvillojnë ndeshjet në fazat çerekfinale dhe finale. Nuk do të mungojnë as ndeshjet revyale, tashmë një traditë e këtij turneu.
Përveç aktiviteteve sportive, pjesëmarrësit dhe vizitorët do të mund të shijojnë një gamë të gjerë aktivitetesh argëtuese për fëmijë dhe familje, zona të dedikuara për fansat, dhurata dhe lojëra shpërblyese nga sponsorët kryesorë si PrishtinaMall dhe TresorX. Ky turne nuk është vetëm një garë sportive, por një ngjarje që synon të ndërtojë komunitet, të promovojë vlerat e bashkëpunimit dhe kulturës, dhe të reflektojë angazhimin e përbashkët për një organizim dinjitoz dhe profesional. Organizatorët kanë falënderuar të gjithë për mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur entuziazmin për të mirëpritur pjesëmarrësit më 7 gusht në Prishtinë, në një javë të mbushur me sport, energji dhe emocione të paharrueshme.