Xherdan Shaqiri
Karriera e Xherdan Shaqirit përfshin shumë suksese, por edhe momente që do të mbahen mend gjatë. Njëri prej tyre është festa me shqiponjën dykrenore pas golit kundër Serbisë në Kupën e Botës 2018 në Rusi.
Të njëjtën festë e kishte bërë edhe kapiteni aktual i Zvicrës, Granit Xhaka.
Me golat e Shaqirit dhe Xhakës, Zvicra triumfoi 2:1, ndërsa ajo festë bëri bujë në mediat botërore. Çështja u rikthye në diskutim edhe të enjten mbrëma, kur Shaqiri ishte i ftuar në emisionin “Gredig direkt” në televizionin zviceran SRF.
Shaqiri foli edhe për tema të tjera, përfshirë Përfaqësuesen e Kosovës, rikthimin te Baseli dhe fëmijërinë e tij.
“Shumë gjëra janë shkruar në atë kohë. Familjet tona dhe ne u provokuam jashtëzakonisht shumë nga serbët para ndeshjes së Kupës së Botës, sidomos në rrjetet sociale. Kjo na krijoi një motivim të fortë për të fituar, dhe në fund të fundit vetëm fitorja sportive kishte rëndësi për ne”, ka deklaruar Shaqiri.