Zhegrova nënshkruan mbi flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – reagime të ashpra nga serbët

Edon Zhegrova (26) ka lënë klubin francez Lille për t’u transferuar te gjiganti italian Juventus. Pas përfundimit të kontrolleve mjekësore në Torino, ai pritet të nënshkruajë kontratën me klubin bardhezi. Lille do të përfitojë 20 milionë euro nga ky transferim, ndërsa vlera e Zhegrovës në platformën Transfermarkt vlerësohet në 25 milionë euro.
Gjatë karrierës së tij në Francë, Zhegrova zhvilloi 107 ndeshje me Lille, duke shënuar 26 gola dhe dhënë 18 asistime. Para qendrës stërvitore të Juventusit, ai u prit nga tifozët e rinj, të cilëve u dha autografe dhe pozoi për fotografi.
Mes tyre ndodheshin edhe disa tifozë që mbanin flamurin shqiptar me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Zhegrova, me një buzëqeshje, nënshkroi mbi flamur, gjest që u mirëprit nga shqiptarët e pranishëm.
Edon Zhegrova signs on a KLA flag for Albanian fans upon his arrival at Torino as a new Juventus player. 🇦🇱🇽🇰 pic.twitter.com/8J09Bxpggu
— Xhemajl Rexha (@xhemajl_rexha) September 1, 2025
Reagime të ashpra në Serbi: “Skandal që në ditën e parë”
Nga ana tjetër, reagimet në Serbi kanë qenë të menjëhershme dhe të ashpra. Mediat serbe kanë dënuar gjestin e Zhegrovës, duke e cilësuar provokues dhe ofendues. Ata rikujtojnë se për Serbinë, UÇK-ja konsiderohet një organizatë terroriste dhe refuzojnë të pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Portali serb Telegraf e ka raportuar ngjarjen me titullin: “Skandal! Përfaqësuesi i të ashtuquajturës Kosovë mbërrin te Vlahoviq e Kostiq dhe nënshkruan mbi flamurin e UÇK-së.” Artikulli thekson se Zhegrova, që sapo ka mbërritur për të finalizuar transferimin te Juventus, ka shkaktuar skandal qysh në ditën e parë, duke firmosur mbi një flamur që për ta përfaqëson një organizatë që “ka kryer krime ndaj popullatës serbe gjatë konflikteve në krahinën jugore të Serbisë”.



