
Jasir Asani do të vijojë karrierën në kampionatin iranian, pasi ka firmosur me skuadrën e Esteglal, që garon në elitën e futbollit në këtë vend.
Pas disa ditësh spekulimesh, marrëveshja tashmë është konfirmuar, dhe sulmuesi shqiptar ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë te klubi iranian deri në fund të sezonit 2026-2027.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Esteglal, që nëpërmjet një komunikate zyrtare konfirmoi firmën me Asanin. Sulmuesi aktualisht është nën kontratë me Guangju në Korenë e Jugut, por ndodhet në muajt e fundit të saj, çka i lejon të negociojë lirshëm me klube të tjera.
“Pas negociatave mes Esteglal dhe Jasir Asanit, lojtari ka firmosur një kontratë për një sezon e gjysmë. Ai do të bashkohet me skuadrën sapo të përfundojë marrëveshja me klubin korean Guangju”, thuhet në deklaratën e klubit iranian.
Megjithatë, drejtuesit e Esteglal janë duke negociuar me palën koreane për të mundësuar që transferimi të realizohet para janarit, në mënyrë që Asani t’i bashkohet menjëherë ekipit të ri.
