
Edon Zhegrova është futbollisti më i ri i Juventusit. Klubi torinez ka konfirmuar zyrtarisht afrimin e anësorit kosovar nga Lille, në një marrëveshje me vlerë rreth 20 milionë euro.
25-vjeçari ka firmosur kontratë afatgjatë deri në qershor 2030, duke u konsideruar si një nga blerjet më të rëndësishme të “Bianconerëve” në këtë merkato. Zhegrova do të mbajë fanellën me numrin 11, një numër simbolik që më parë është veshur nga emra të njohur në historinë e Juventusit.

Torinezët arritën marrëveshjen pas një gare të fortë me Olympique Marseille, që gjithashtu ishte e interesuar për sulmuesin kosovar. Me kontratën që e lidhte me Lille deri në vitin 2026, Zhegrova u kthye në prioritet për Juventusin gjatë javëve të fundit të merkatos, sidomos pasi klubi po rishikonte opsionet në repartin ofensiv.
Me këtë transferim, Zhegrova jo vetëm që bën hapin më të madh në karrierën e tij, por bëhet edhe një prej lojtarëve shqiptarë me lëvizjen më të bujshme në futbollin evropian.