
FC 2 Korriku do t’i fillojë garat evropiane në UEFA Youth League për edicionin 2025/26 nga raundi i dytë i “Domestic Champions Path”, ka njoftuar skuadra verdhekaltër nga Prishtina, përcjellë Kërlaçki.
Paraditen e sotme, klubi kryeqytetas ka marrë njoftimin zyrtar nga organet e futbollit evropian lidhur me përditësimin e listës së aksesit (“Access List 2025/26”), e cila konfirmon se skuadra nga Prishtina do ta nisë aventurën evropiane më 22 tetor, datë kur zhvillohet ndeshja e parë zyrtare e raundit të dytë.
Ky sukses përbën një vlerësim të madh për futbollin kosovar në përgjithësi, sidomos duke pasur parasysh paraqitjen mbresëlënëse në sezonin debutues 2024/25, kur 2 Korriku arriti të kalojë dy raunde të “Domestic Champions Path”.
Kujtojmë se shorti për edicionin e ri të UEFA Youth League do të hidhet më 3 shtator 2025 në Nion të Zvicrës.
