3-4-3 që s funksionon në Manchester: Tallja e Paddy Power me Ruben Amorim

paddy power
Paddy Power

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, po kalon një nga momentet më të vështira në karrierën e tij. Pas një fillimi katastrofik të sezonit, ai jo vetëm që është në qendër të kritikave, por është bërë edhe objekt i talljeve publike – këtë herë nga kompania e njohur e basteve, Paddy Power.

Me vetëm katër pikë të grumbulluara në katër ndeshje dhe një fitore të vetme kundër Burnleyt në minutat e fundit, United po përjeton nisjen më të keqe të kampionatit në më shumë se tri dekada. Eliminimi i turpshëm nga Carabao Cup ndaj skuadrës modeste Grimsby ka bërë që situata të përkeqësohet edhe më tej. Me sezonin që duket i humbur që në shtator, tifozët po humbin durimin.

Kjo është tallja që po qarkullon nëpër rrugët e qytetit

Në këtë atmosferë tensioni, Paddy Power ka goditur me një fushatë publicitare therëse: në njërin prej autobusëve të qytetit është vendosur mbishkrimi:
“I vetmi 3-4-3 që funksionon në Manchester.”

Fjala është për linjën e autobusit numër 343, që kalon pranë stadiumit të Old Traffordit – një ironi e hollë ndaj formacionit të preferuar të Amorimit, 3-4-3, i cili nuk po jep asnjë rezultat në fushë.

“Koha është e vështirë në Manchester. Disa gjëra nuk funksionojnë, por menduam se është e ndershme të nderojmë ata që e bëjnë punën siç duhet. Për fat të keq për tifozët e United, duket se do të duhet të durojnë me 343″, u shpreh përfaqësuesi i Paddy Power me ton thumbues.

Ndërsa presioni rritet dhe pozita e trajnerit bëhet gjithnjë e më e pasigurt, një gjë është e qartë: për momentin, autobusi 343 duket më i qëndrueshëm se Unitedi i Ruben Amorimit.