Pas zyrtarizimit të trajnerit Gani Sejdiu në krye të pankinës, Trepça’89 ka konfirmuar edhe dy përforcimet e para për afatin e verës.
Klubi nga Mitrovica ka zyrtarizuar rikthimin e sulmuesit Erdin Dushi nga Vushtrria, si dhe afrimin e Egzon Qerimit, mesfushor që së fundmi ishte pjesë e Lirisë, përcjellë “Kërlaçki”.
Të dy lojtarët janë shprehur të entuziazmuar për aventurën e tyre të re te ‘Minatorët’.
“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer aty ku e ndjej veten si në shtëpi. Jam plot motivim dhe i gatshëm të jap gjithçka për fanellën e Trepçës’89, me qëllimin e vetëm – kthimin në Superligë”, u shpreh Dushi për faqen zyrtare të klubit.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem një klubi me histori dhe traditë si Trepça’89. Ndihem si në shtëpi dhe jam i gatshëm të jap maksimumin për fanellën”, tha Qerimi.


Në përpjekje për rikthim në Superligë, trajneri Sejdiu ka përforcuar edhe stafin teknik me dy figura emblematike të klubit.
Enis Manxholli, ish-portier dhe kampion me Trepçën’89, do të jetë trajner i portierëve.
Ndërsa Diar Mustafa, një tjetër kampion i klubit, i është bashkuar stafit si trajner kondicional.

Trepça’89 ka zhvilluar një ndeshje miqësore të shtunën kundër 2 Korrikut në stadiumin “Riza Lushta”, ku ka pësuar humbje me rezultat 2:0.
Pavarësisht rezultatit, kjo ishte një mundësi për stafin e ri teknik që të vlerësojë gjendjen e skuadrës dhe të testojë prurjet e reja.
Klubi pritet të konfirmojë edhe disa afrime gjatë ditëve në vijim.
