
Sulmuesi i krahut të djathtë, Iljasa Zulfiu, është rikthyer te KF Dukagjini, duke u bërë edhe një herë pjesë e skuadrës së Ismet Munishit. 27-vjeçari kthehet në Klinë pas një sezoni e gjysmë jashtë vendit dhe një periudhe të shkurtër me FC Dritën.
Karriera e Zulfiut është e pasur me eksperienca në disa vende të rajonit dhe më gjerë. Ai ka luajtur në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe së fundmi në Kazakhstan.
Rrugëtimi i tij nisi te KF Lugina në Serbi, përpara se të kalonte te Radniku i Surdullicës. Më pas ka qenë pjesë e FK Pukovac (si huazim), Ozren Sokobanja dhe sërish Radnikut. Në vitin 2018 u bashkua me KF Flamurtarin e Prishtinës, ndërsa një vit më vonë kaloi te FC Malisheva.
Në sezonin 2021/22 ai u transferua në Shqipëri te KF Laçi, duke u bërë pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Prej andej, në verën e vitit 2022, iu bashkua për herë të parë KF Dukagjinit. Pas një sezoni në Klinë, Zulfiu mori rrugën drejt Kazakhstanit, ku veshi fanellën e Zhenisit, përpara se të kthehej sërish në Kosovë, këtë herë te FC Drita.
Tani, pas këtij rrugëtimi të gjatë, sulmuesi është kthyer në klubin ku pati një periudhë të suksesshme më parë. Ai tashmë ka nisur stërvitjet me ekipin dhe pritet të jetë një forcë shtesë në ofensivën e Dukagjinit për sezonin e ri.
Skuadra nga Klina pas humbjes me Prishtinës në ndeshjen hapëse të sezonit të ri (2-3), tani pret, sërish si vendas, Gjilanin, ndeshje kjo që zhvillohet të dielën dhe nis nga ora 16:30.