
Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova ishte pjesë e listës së Lille për ndeshjen ndaj Monacos, por nuk u aktivizua.
Sulmuesi i krahut u rikthye pas një kohe të gjatë në skuadrën franceze, duke qëndruar në bankën rezervë në fitoren 1-0 ndaj Monacos, të dielën mbrëma.
Pas takimit, trajneri i Lille, Bruno Genesio foli për situatën e Zhegrovës, duke u ndalur te e ardhmja e tij dhe arsyeja pse nuk e futi në lojë.
“Edoni është këtu, por do të shohim nëse do të jetë këtu deri në fund. Edonit i duhet kohë, pasi nuk ka luajtur për një kohë shumë të gjatë. Krahas kësaj, ai kishte një lodhje të muskujve dhe për këtë arsye nuk mora asnjë rrezik për ta inkuadruar”, ka thënë Genesio.
Megjithatë, e ardhmja e 26-vjeçarit mbetet e pasigurt. Zhegrova ka kontratë me Lille deri në vitin 2026, por pritet të largohet para përfundimit të afatit kalimtar.
Ai ka arritur marrëveshje personale me Juventusin, i cili i ka ofruar pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh dhe kontratë deri në vitin 2030.