Megjithëse këto shpallje të lojtarëve të javës nga Federata rrallëherë merren në konsideratë nga trajnerët kur përzgjidhet lojtari apo formacioni i vitit, Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë traditën e ndarjes së çmimit “Ylli i Javës”.
Për javën e tretë të këtij edicioni në Albi Mall Superligë, çmimi i është ndarë futbollistit të FC Ballkanit, Valentin Serebe. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Milaim Humollit, Besim Slishanit dhe Murat Zejnullahut. Komisioni vendosi që çmimi t’i takojë Serebes pas paraqitjes së tij vendimtare në ndeshjen kundër FC Ferizajt, ku shënoi dy gola në fitoren 1:3, duke i siguruar skuadrës suharekase tre pikë të plota.
“E kemi përgatitur që nga java e kaluar këtë ndeshje bashkë me trajnerët dhe bashkëlojtarët e mi. U përgatitëm për këtë ndeshje sepse kishim nevojë për fitoren. Fillimisht, gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim dhe pastaj, me ndihmën e Zotit, arritëm fitoren. Shënova dy gola dhe jam shumë i lumtur dhe i kënaqur me këtë ndeshje”, ka thënë Serebe për FFK-në.
“Gjithçka po shkon mirë. Të gjithë më kanë pritur mirë mua. Populli, të gjithë e duan shumë qytetin. Suhareka është vend i qetë. Qëllimi i klubit është të mbyllim sezonin si kampionë, të fitojmë kampionatin. Kupa është gjëja më e rëndësishme për klubin. Sa më përket mua, ambicia ime është të jem golashënuesi më i mirë. Do të përgatitemi për këtë sezon dhe, me ndihmën e Zotit, gjithçka do të shkojë si duhet”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.