Kalo te përmbajtja
Samstag, 18 Juli 2026
Diaspora

FFK me kamp treditor me futbollistë nga Diaspora 

 

Federata e Futbollit e Kosovës ka vazhduar organizimin me grumbullime me futbollistë nga Diaspora. Kampi ka përfshirë lojtarë të grupmoshave U15, U16 dhe U17 i cili ka shërbyer si pjesë e planit vjetor të punës për identifikimin dhe përfshirjen e talenteve të rinj në ekipet zinxhirë të Kombëtares së Kosovës.

Përzgjedhësi i Kombëtares U17, Arbnor Morina:

“Pas kampit që e kemi bërë në Gjermani, kjo është pjesa e dytë me futbollistët që për shumë arsye nuk kanë mundur të jenë të pranishëm në Gjermani dhe ka disa që i kemi përcjellë dhe kanë treguar një performancë të mirë, kështu që ju kemi mundësuar që përderisa janë me pushime në familjet e tyre të jenë edhe tri ditë në stërvitje me neve”, ka thënë trajneri me përvojë shumëvjeçare për uebfaqen e FFK-së.

Morina theksoi se të gjithë lojtarët e grumbulluar janë në konkurrencë me bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë dhe të tjerët në klubet evropiane, por sipas tij fat i keq është se vetëm 20 prej tyre mund të jenë pjesë e kombëtares për ndeshjet kualifikuese të vjeshtës, për shkak të rregullores së UEFA-s.

“Të gjithë duhet të tregojnë maksimumin dhe ju mbetet të punojnë në klubet e tyre, ku i përcjellim në vazhdimësi përmes platformave”, shtoi Morina.

Ndërkohë, përzgjedhësi i Kombëtares U15, Ilir Nallbani, u shpreh i lumtur me organizimin e kampit, duke theksuar rëndësinë e dhënies së mundësive të barabarta për të gjithë lojtarët: “Ata futbollistë që nuk patën mundësi të dëshmohen kur ishim në Gjermani apo nuk kishin mundësi të vinin atje, sigurisht se kjo është një mundësi e artë për ta, sepse përveç se kanë ardhur në pushime për vizitë në familjet e tyre, kanë ardhur edhe të provojnë veten e tyre në Kombëtaren e Kosovës”, ka thënë Nallbani.

Punë me talentet nga Diaspora gjatë këtyre tre ditëve do të kenë edhe trajnerët e Kombëtares U16, Mehmed Kurda dhe Ibrahim Domi.

@FFK

 

Lër një koment