
Pas hedhjes së shortit për fazën play-off të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, Shqipëria mësoi kundërshtarin e saj në gjysmëfinale – Poloninë, në një ndeshje që do të zhvillohet në Varshavë. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të jenë sërish mysafirë në finale, përballë fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi.
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, u shpreh me qetësi dhe realizëm për sfidat që e presin ekipin.
“E kemi merituar shumë të jemi këtu ku jemi. Tani luhet futboll. Po flisja me të tjerët, italianët, dhe në futboll për 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. E njohim mirë kundërshtarin, ashtu siç na njohin edhe ata neve. Duhet të luajmë futboll, të përgatitemi dhe të ecim përpara”, u shpreh Sylvinho.
Trajneri brazilian theksoi se të gjitha skuadrat janë të forta: “Polonia është sfida e parë, më pas janë dy kundërshtarë të tjerë të mundshëm. Ukrainën e njohim nga Liga e Kombeve, ndërsa me Suedinë kemi zhvilluar një miqësore. Janë ekipe me lojtarë cilësorë. Nuk ka ndeshje të lehta.”
Ndërkohë, edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, komentoi shortin, duke e cilësuar si sfidues, por jo të pamundur.
“Jam i lumtur që jemi në këtë short. Nuk prisja dhuratë, sepse të gjitha skuadrat janë të forta. Me Poloninë njihemi – është një skuadër e fortë, me një Lewandowski përpara. Kemi shanset tona, me përqendrim maksimal. Duhet të kalojmë Poloninë.”
Duka shtoi se preferenca e tij ishte të shmangej një short në grupin A: “Nuk doja një grup me Italinë, dhe pastaj një udhëtim të gjatë në Uells. Gjithsesi, do të japim maksimumin. Nuk ka matematikë në këto ndeshje – ka të papritura dhe emocione, dhe shpresoj që sportdashësve t’u dhurojmë emocione pozitive.”


