 
E ardhmja e Milot Rashicës te Besiktasi mbetet e paqartë, pasi klubi turk po kërkon ta shesë sulmuesin e Kosovës brenda javës së ardhshme.
Afati kalimtar i verës në Turqi dhe Greqi do të qëndrojë i hapur deri më 14 shtator, dhe disa ekipe greke kanë shprehur interes për sulmuesin e krahut.
Trajneri i ri i Besiktasit, Sergen Yalcin, nuk e llogarit Rashicën në planet e tij, dhe drejtuesit po shqyrtojnë ofertat për 29-vjeçarin.

Emrat e klubeve greke nuk janë bërë publik, por Besiktasi shpreson të gjejë një blerës edhe në Turqi, ku Rashica ka tërhequr interesim nga disa skuadra.
Rashica iu bashkua Besiktasit në vitin 2023 dhe ka kontratë deri në vitin 2027.
Me klubin turk, ai ka regjistruar 86 paraqitje në të gjitha garat, ku ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 19 asistime.

Përveç Rashicës, Besiktasi po kërkon të realizojë edhe shitjen e futbollistit shqiptar, Ernest Muçi, si pjesë e planit për përforcimin e skuadrës dhe riorganizimin e ekipit.
 
