“Na duhet më shumë moral dhe motivim” – Muriqi kërkon ngritjen e skuadrës pas humbjes

Muriqi e Xhaka

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka reaguar pas disfatës 4:0 kundër Zvicrës në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, duke kërkuar falje për paraqitjen e ekipit.

“Nuk funksionoi, fatkeqësisht e kalonin shumë lehtë presionin tonë. Nuk kemi qenë aty ku duhej për të fituar topat e dytë. Me gabimet trashanike që bëmë, pranuam katër gola vetëm në pjesën e parë”, u shpreh Muriqi për Artmotion dhe Klan Kosova.

Ai theksoi se skuadra duhet të kthejë motivimin, pasi i pret një sfidë edhe më e vështirë.

“Tash kjo ndeshje mbaroi, prapa nuk mund të kthehemi. Duhet të rikthejmë moralin sepse pas tri ditësh na pret Suedia në ‘Fadil Vokrri’, një kundërshtar edhe më i fortë se Zvicra”, tha sulmuesi.

kosova

Muriqi tregoi se ekipi ishte i motivuar para ndeshjes, por gjatë lojës gjërat ndryshuan.

“Kemi qenë të gjithë të motivuar, por ndonjëherë në fushë nuk funksionon. Pastaj futesh në mendime dhe, brenda thonjëzave, ‘e humb kokën’”, shtoi ai.

Në fund, si kapiten i dytë i Kosovës, Muriqi u kërkoi falje tifozëve dhe shtetit.

foda e muriqi

“U kërkoj falje tifozëve dhe gjithë vendit tonë. Pres që ndaj Suedisë të tregojmë moral dhe motivim, sepse kjo për momentin na duhet më shumë se teknika dhe taktika”, përfundoi sulmuesi i Mallorca-s.