
Kombëtarja e Kosovës sonte zhvillon ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” pret Suedinë.
Pas humbjes së thellë 4-0 ndaj Zvicrës, Dardanët synojnë reagim para tifozëve të tyre dhe pikët e para në këtë fushatë. Atmosfera në Prishtinë pritet të jetë e jashtëzakonshme, pasi interesimi i tifozëve është i madh.
Edhe Suedia nuk e nisi në mënyrën më të mirë, pasi barazoi 2-2 ndaj Sllovenisë, ndaj kjo përballje është vendimtare për të dyja kombëtaret.
Historiku është në favor të skandinavëve, që kanë fituar të tria ndeshjet e deritanishme me Kosovën – dy zyrtare dhe një miqësore.
Megjithatë, Dardanët e shohin këtë sfidë si mundësinë e artë për të thyer këtë seri dhe për të shkruar një kapitull të ri me përkrahjen e madhe të publikut.
Ndeshja nis nga ora 20:45 dhe pritet të sjellë emocione të forta në kryeqytet.