
Sulmuesi shqiptar Andi Zeqiri ka kompletuar transferimin e tij në elitën e futbollit polak, duke u bashkuar me skuadrën e Widzew Lodz.
Zeqiri vjen nga klubi belg Genk, ndërsa tani do ta vazhdojë karrierën në Poloni, ku do të ketë shok ekipi reprezentuesin e Kosovës, Dion Gallapeni.
“Në mbyllje të afatit kalimtar, Widzew Lodz ka nënshkruar një tjetër lojtar – sulmuesin zviceran Andi Zeqiri, i cili iu bashkua kuqezinjve nga KRC Genk si transferim i përhershëm”, thuhet në njoftimin e klubit polak.
Zeqiri ishte pjesë e Genkut nga vjeshta e vitit 2023, pasi u transferua nga Brighton & Hove Albion. Pas një sezoni, ai u huazua te Standard Liege, ku tregoi paraqitje të mira.
Në edicionin e kaluar, 24-vjeçari zhvilloi 23 ndeshje, duke shënuar 9 gola dhe dhënë 3 asiste. Në total, në elitën belge ai ka regjistruar 45 paraqitje, me 14 gola dhe 3 asiste.
Zeqiri është pjesë e kombëtares zvicerane, ku ka luajtur 16 ndeshje me ekipin A. Ai ka përvojë të pasur edhe me ekipet e moshave të Zvicrës, ku ka realizuar 28 gola.
Sulmuesi i ri i Widzew Lodz është majtkëmbësh, luan kryesisht si qendërsulmues, por mund të aktivizohet edhe në krahë. Ai është 185 cm i gjatë dhe shihet si një përforcim i rëndësishëm për skuadrën polake.