
Federata e Futbollit e Kosovës ka filluar për herë të parë kursin për trajnerët e portierëve UEFA GK –B, i cili do të zgjasë deri në prill të vitit 2026.
Ky kurs ka nisur me fazën e parë të ligjëratave, ku para 16 kandidatëve kanë ligjëruar instruktorët e UEFA-s, Frank Thieltges nga Gjermania dhe Tomislav Butina nga Kroacia.
Në kuadër të këtij kursi, kandidatët do të ndjekin jo vetëm ligjërata teorike, por edhe punë praktike, monitorime në klube dhe në fund do t’i nënshtrohen provimeve përfundimtare.
Instruktori i UEFA-s, Frank Thieltges, vlerësoi këtë hap si shumë të rëndësishëm për futbollin kosovar.
“Për herë të parë në Kosovë kemi një licencë B për trajnerët e portierëve. Ky është një zhvillim që ndihmon në bashkëpunimin më të madh mes trajnerit të ekipit dhe trajnerit të portierëve. Është e rëndësishme që trajnerët e portierëve të jenë më të përfshirë në stërvitjet e ekipit dhe kjo është rruga e duhur përpara”, tha ai.
Ndërsa instruktori kroat, Tomislav Butina, u shpreh i impresionuar nga niveli i kandidatëve kosovarë.
“Siç mund të shihet, në këtë kurs ka shumë përvojë dhe trajnerë të mirë nga Kosova, veçanërisht në rolin e trajnerëve të portierëve. Përparimi që arritën brenda vetëm dy ditëve ishte shumë më i madh sesa pritej. Mund të them se ky është një kurs shumë i suksesshëm”, tha Butina.