
Dy ish-pjesëtarë të Kombëtares shqiptare, Armend Dallku dhe Klodian Duro, do të përballen këtë fundjavë si trajnerë të dy prej pretendentëve kryesorë për ngjitjen në Superligën e Kosovës.
Dallku, që mban 64 paraqitje me Shqipërinë (2005–2013), drejton Vushtrrinë, ndërsa Duro, me 77 ndeshje për kuqezinjtë (2001–2011), është në krye të Lirisë së Prizrenit, klub historik i futbollit kosovar.
Aktualisht, Vushtrria renditet e dyta në tabelë me 11 pikë, pa asnjë humbje në 5 ndeshje (3 fitore, 2 barazime). Një pikë më poshtë është Liria, që ka 10 pikë (3 fitore, 1 barazim, 1 humbje), humbje që i erdhi në derbin ndaj Trepçës ’89 në Mitrovicë.
Karriera e trajnerëve
Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 2019, Dallku drejtoi fillimisht Prishtinën, me të cilën fitoi Kupën e Kosovës (2019/20). Më pas kaloi te Dukagjini, duke e ngjitur në Superligë dhe duke e dërguar për herë të parë në garat evropiane, ku arriti të kalojë një raund historik. Ky është sezoni i dytë i tij me Vushtrrinë, me synimin e vetëm: rikthimin në elitë. Edicionin e kaluar, ekipi i tij e mposhti Lirinë në gjysmëfinale të “play-off”-it, por u ndal në finale nga Llapi pas goditjeve të penalltive.
Duro, nga ana tjetër, ka një përvojë të gjerë në stolin kosovar. Ai ka drejtuar Feronikelin (2020/21) dhe Gjilanin (2023), duke u paraqitur edhe në arenën evropiane me këtë skuadër. Në Shqipëri ka udhëhequr Kukësin, Kamzën, Luftëtarin dhe Lushnjën.
Sfida dhe atmosfera
Në letër, Vushtrria shihet si favorite, falë formës së mirë dhe faktorit fushë. Në stadiumin “Ferki Aliu”, ku mbështetja e tifozëve është e jashtëzakonshme, skuadra vështirë se lë pikë. Skuadra e Dallkut nuk ka pësuar humbje që nga 9 shtatori i vitit 2024 në ndeshjen kundër Vjosës në Shtime (duke mos e llogaritur ndeshjen me Llapin në play-off)
Ndeshja Vushtrria – Liria do të gjykohet nga Ersen Janovali, nis në orën 15:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në Art Sport.