Zekirija Ramadani kërkon vetëm fitore ndaj Drenicës: Sot duam trepikëshin e parë!

zekirija ramadani
Zekirija Ramadani

Drita sot nga ora 15:00 e pret Drenicën në një ndeshje të mbetur nga xhiro e dytë e Superligës së Kosovës.

Para këtij dueli, trajneri i kuqebardhëve, Zekirija Ramadani, ka folur për pritjet dhe objektivat e ekipit në këtë takim, duke theksuar rëndësinë e fitores në paraqitjen e parë si vendas në këtë edicion.

“Neve na intereson objektivi ynë, është loja e parë si vendas dhe me epitetin e kampionit na ka hije të angazhohemi maksimalisht. Objektivi ynë është trepikëshi. Shpresoj që ta nisim me fitoren e parë të këtij edicioni,” u shpreh fillimisht Ramadani.

Tekniku theksoi se skuadra duhet të mbajë ritmin e lartë gjatë gjithë kampionatit, duke marrë në konsideratë kalendarin e ngjeshur.

“Duhet t’i kemi të gjithë futbollistët në formë sepse kemi shumë ndeshje përpara. Kemi bërë shumë sakrifica dhe jam i bindur që do t’ia dalim,” tha ai, duke shtuar se për mbrojtjen e titullit nevojitet djersë dhe angazhim i madh.

Ramadani gjithashtu u shpreh i kënaqur me balancën e skuadrës, duke nënvizuar se nuk ka varësi nga ndonjë individ. “Ne kemi ekip që nuk ndikohet nga mungesa e një sulmuesi krahu apo mesfushori ofanziv. Të gjithë futbollistët dinë të shënojnë dhe kjo është një forcë e madhe për ne,” potencoi ai.

Ndeshja fillon nga ora 15:00.