Enis Nasufi
Klubi i futbollit KEK ka zyrtarizuar rikthimin e Enis Nasufit në postin e trajnerit. Nëpërmjet një njoftimi publik, drejtuesit e klubit bënë të ditur se kanë arritur marrëveshje me teknikun, i cili tashmë do të udhëheqë skuadrën në vazhdim të edicionit.
“E mirëpresim rikthimin e Nasufit dhe i urojmë shumë suksese në këtë rrugëtim të përbashkët”, thuhet në komunikatën e klubit. Në stafin e tij teknik, Nasufi do të ketë ndihmës Ardian Stullqakun dhe Tervioll Stullqakun.
Ky emërim vjen pas dorëheqjes së Afrim Visokës, i cili u largua nga KEK-u pas një starti të vështirë në Ligën e Parë të Kosovës, me dy fitore dhe pesë humbje në shtatë ndeshjet e para të kampionatit.
Nasufi nuk është i panjohur për klubin nga Obiliqi. Në periudhën e tij të mëparshme, ai kishte arritur sukses të konsiderueshëm duke e ngjitur KEK-un nga Liga e Tretë në të Dytën, çka ka shtuar besimin se mund të rikthejë stabilitetin dhe rezultatet pozitive.
Sfida e parë për Nasufin do të jetë sot, kur KEK-u do të përballet me Trepçën ’89 në stadiumin “Riza Lushta”, në kuadër të javës së tetë të kampionatit.