Dy kartonë të kuq dhe tre gola, Manchester United fiton derbin ndaj Chelseat

Manchester United ka marrë një fitore të rëndësishme në derbin anglez ndaj Chelseat, në kuadër të xhiros së pestë të Premier League, duke triumfuar me rezultat 2:1 në një ndeshje dramatike.
Sfida nisi keq për “Blutë”, pasi portieri Roberto Sanchez u ndëshkua me karton të kuq që në minutën e 5-të, pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Mbuemo.
Me epërsinë numerike, United mori kontrollin e lojës dhe Bruno Fernandes, pas asistimit të Dorgus, realizoi golin e parë. Epërsia u dyfishua nga Casemiro, i cili shënoi me kokë pas harkimit të Harry Maguire në minutën e 37-të.
Megjithatë, Casemiro nuk e përfundoi pjesën e parë, pasi në kohën shtesë (45+5’) mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën e tij me dhjetë lojtarë. Ky moment e bëri ndeshjen edhe më të hapur në pjesën e dytë.
Chelsea tentoi të reagojë dhe Wesley Fofana gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 63-të, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Përpjekjet e londinezëve u shpërblyen vetëm në minutën e 80-të, kur Trevoh Chalobah shënoi golin e nderit pas asistimit të Reece James. Pavarësisht dominimit në fund, “Blutë” nuk arritën të shmangin humbjen.
