Sami Ahmeti sfidon Julian Vogelin për titullin e botës në WBO

Sami Ahmeti

Boksieri nga Smolica e Gjakovës, Sami Ahmeti, të shtunën do të ngjitet në ringun e Ascherslebenit të Gjermanisë për meçin më të madh të karrierës së tij.

Në qytetin me mbi 100 vite traditë në boks, 21-vjeçari kosovar do të sfidojë gjermanin Julian Vogel për titullin e botës në versionin WBO në kategorinë super të lehtë.

Të dy boksierët janë të pamposhtur në boksin profesionist. Ahmeti numëron 9 fitore, ndërsa Vogel ka 17 triumfe dhe një barazim. Kosovari është tashmë kampion bote në versionin WBC, ndërsa 22-vjeçari gjerman do të mbrojë për herë të tretë titullin e tij në WBO.

sami ahmeti

Në aspektin fizik, Vogel ka përparësi me 11 centimetra më shumë (180 cm kundrejt 169 cm të Ahmetit). Megjithatë, i riu nga Gjakova gëzon mbështetje të madhe nga komuniteti shqiptar dhe gjerman në Gjermani, ku shihet si një ndër talentët më premtues të boksit.

Ahmeti përgatitet në palestrën Body Fit Platling, ndërsa sponsor kryesor i tij është Sali Jasiqi.