
Liria e Prizrenit ka vendosur për trajnerin e ri dhe, sipas burimeve të sigurta të Kërlaçkit, zgjedhja ka rënë mbi Liridon Lecin. Ish-mbrojtësi i mirënjohur është tashmë në rrugë nga Prishtina drejt Prizrenit, ku pritet të nënshkruajë kontratën me klubin bardhezinj.
Pas ndarjes me Klodian Duron – me të cilin bashkëpunimi përfundoi me marrëveshje të ndërsjellë – drejtuesit e Lirisë kanë vepruar me shpejtësi për të plotësuar boshllëkun në stolin e skuadrës. Pavarësisht pritshmërive të larta për këtë sezon dhe afrimeve të shumta nga Superliga, rezultatet nën drejtimin e Duros nuk ishin në përputhje me objektivat, çka solli dhe vendimin për ndryshim.
Leci, një emër i njohur në futbollin kosovar, si lojtar ka fituar trofe të shumtë, ndërsa si trajner ka drejtuar më parë ekipe si Flamurtari dhe Rahoveci në Ligën e Parë. Eksperienca e tij dhe njohja me realitetin e futbollit vendor pritet t’i japin Lirisë një impuls të ri në garën për rikthimin në elitë.
Zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të ndodhë brenda ditës, me Lecin që do të marrë menjëherë drejtimin e skuadrës.