Polonia rikthehet fuqishëm dhe fiton medaljen e parë të bronztë në Kampionatin Botëror

polonia
Polonia

Leon udhëheq ekipin numër një në botë drejt fitores ndaj Çekisë për vendin e tretë

Në sfidën për vendin e tretë në Kampionatin Botëror të Volejbollit për Meshkuj “FIVB 2025”, që po zhvillohet në Filipine, Polonia siguroi medaljen e bronztë për herë të parë në histori. Në përballjen mes dy skuadrave të Europës Qendrore, të zhvilluar të dielën në Pasay City, polakët mposhtën Çekinë me rezultatin 3-1, pas një ndeshjeje të fortë.

Polonia, që më parë kishte në sirtarin e saj tre tituj botërorë dhe dy medalje argjendi, arrin kështu për herë të parë në vendin e tretë. Finalja për titullin botëror, mes Italisë dhe Bullgarisë, do të luhet sot në orën 12:30.

Leon dominon, Polonia bind

Ylli i lojës, Wilfredo Leon, shkëlqeu në setin e parë duke realizuar plot 11 pikë dhe duke udhëhequr polakët drejt avantazhit fillestar. Polonia vijoi vrullshëm në setin e dytë me një epërsi 6-1, të cilën e mbajti deri në 14-9, kur Çekia nisi ngjitjen e saj, me Lukas Vasina në rolin kryesor. Ai realizoi pikën për setin dhe më pas barazoi rezultatin në 1-1.

Edhe në setin e tretë Vasina ishte protagonist, duke mbajtur ofensivën çeke në lojë. Megjithatë, polakët rikuperuan përmes paraqitjes së shkëlqyer të Szymon Jakubiszak, i cili solli set-point në 24-21. Leon vulosi fitoren në këtë set, duke rikthyer epërsinë për Poloninë.

Në setin e katërt, pas barazimit 7-7, Polonia mori kontrollin e plotë të lojës dhe nuk u ndal më, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 3-1 (25-18, 23-25, 25-22, 25-21).

Statistika dhe reagime

Pika e fundit për Poloninë erdhi pas një gabimi në sulm nga Çekia, e cila bëri gjithsej 35 gabime të paforcura, në krahasim me 28 të Polonisë. Ekipi polak ishte disi më i mirë edhe në elementët e tjerë të lojës: 5-3 në shërbime të drejtpërdrejta (ace), 9-7 në bllokime dhe 49-48 në goditje të suksesshme.

Leon përfundoi me 26 pikë, përfshirë tre bllokime dhe 23 pikë në sulm, me një efikasitet prej 64%. Kewin Sasak shtoi 11 pikë, përfshirë tre shërbime të suksesshme.

Në anën tjetër, Patrik Indra realizoi 11 pikë për Çekinë, të gjitha në sulm, ndërsa Vasina udhëhoqi ekipin me 19 pikë dhe një bllokim, duke pasur një efikasitet prej 56%.

Trajneri serb i Polonisë, Nikola Grbiç, u shpreh:
“Çdo ndeshje është një betejë, pavarësisht kundërshtarit. Sot çdo ekip ka lojtarë që luajnë në klube të mëdha dhe mund të japin një paraqitje të shkëlqyer. Jam krenar për këta djem! Dje ishim të zhgënjyer, sepse pritshmëritë ishin më të larta, e dinim sa shumë kishim punuar. Nuk ishte e lehtë të rikuperoheshim pas humbjes. Prandaj jam i lumtur që u rikthyem dhe morëm medaljen. Shpresoj që çdo herë të kthehemi në Poloni me medalje.”