
E hëna ka qenë një ditë e ngjeshur në klubin e Gjilanit, pas ndarjes zyrtare me trajnerin Ardian Nuhiu. Sipas burimeve të Kerlacki.com, momentalisht Bekim Isufi shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës, ndërsa një tjetër emër interesant në lojë mbetet edhe Skënder Gega. Orët në vijim pritet të jenë vendimtare për emërimin e trajnerit të ri.
Ardian Nuhiu largohet pas një periudhe dyvjeçare në krye të skuadrës gjilanase, ku në 45 ndeshje regjistroi 16 fitore, 13 barazime dhe 16 humbje, me një mesatare prej 1.36 pikësh për ndeshje.
Bekim Isufi, që së fundmi ishte pjesë e Malishevës, arriti ta dërgojë këtë skuadër në Evropë për të dytin vit radhazi – një arritje historike për klubin. Megjithatë, pas humbjes së thellë 8-0 në Islandë, ai u shkarkua nga detyra. Isufi si futbollist njihet si krijim i Dritës – rivalit të përbetuar të Gjilanit.
Në garë është përmendur edhe Skënder Gega, ish-trajner i Partizanit të Tiranës, i cili dikur zëvendësoi një trajner serb dhe më pas u zëvendësua sërish nga një tjetër serb – një detaj që pati ngjallur debat në opinionin publik shqiptar.