adrian bajrami - andi zeqiri

Adrian Bajrami - Andi Zeqiri

Përfaqësuesja e Zvicrës ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e tetorit në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, kundër Suedisë (10 tetor) dhe Sllovenisë (13 tetor). Trajneri Murat Yakin ka qëndruar besnik ndaj shumicës së emrave që e nisën fushatën me fitore bindëse ndaj Kosovës (4-0) dhe Sllovenisë (3-0), por ka bërë edhe disa ndryshime të rëndësishme.

Adrian Bajrami – për herë të parë në ekipin A

Dy mbrojtësit Luca Jaquez (Stuttgart) dhe Adrian Bajrami janë të ftuar për herë të parë në ekipin kombëtar A të Zvicrës. Jaquez, që ka zënë vend titullari në Bundesliga, është vlerësuar për paraqitjet e tij të qëndrueshme. Bajrami, ndërkohë, ka qenë më parë pjesë e kombëtares shqiptare, me tre paraqitje zyrtare për Shqipërinë, por së fundmi ka ndryshuar federatën dhe ka vendosur të përfaqësojë Zvicrën.

Trajneri Yakin tha për Bajramin:
“Ka profil interesant, mund të luajë si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i majtë. Është i dobishëm në rast të mungesave të papritura.”
Kujtojmë se Bajrami është këmbëshkathët, ashtu si Albian Hajdari, i cili në të kundërtën zgjodhi së fundmi Kosovën, duke refuzuar Zvicrën.

Rikthimi i Andi Zeqirit

Në fazën ofensive, Yakin ka ftuar sërish Andi Zeqirin, i cili luan aktualisht për Widzew Lodz në Poloni dhe është bërë titullar i padiskutueshëm në formacion. Zeqiri bashkohet me Breel Embolon dhe Cedric Ittenin në repartin e sulmit, ndonëse ende nuk ka shënuar gol me klubin e tij të ri.

Mungesa të rëndësishme

Lista nuk përfshin emra si Denis Zakaria, Ardon Jashari dhe Michel Aebischer, të cilët janë të lënduar. Po ashtu, Joël Monteiro është lënë jashtë për arsye teknike.

Dy finale jashtë fushe

Ndeshjet kundër Suedisë dhe Sllovenisë pritet të jenë vendimtare për fatin e Zvicrës në grup. Fitorja e Kosovës ndaj Suedisë ka krijuar hapësirë për Zvicrën që të marrë kontrollin e plotë të grupit. Një fitore në Stokholm më 10 tetor do të ishte një hap gjigant drejt Botërorit 2026 në Amerikën e Veriut.

Trajneri Yakin e tha qartë:
“Nuk ka arsye për ndryshime të mëdha. Do të luajmë lojën tonë. Suedia është nën presion dhe duhet të fitojë, por edhe ne duhet të jemi të fokusuar kur nuk e kemi topin.”