
FC Prishtina ka njoftuar nisjen e fazës së dytë të ndërtimit të kompleksit sportiv-stërvitor në Bernicë, një projekt ambicioz që synon të krijojë një nga qendrat më moderne të trajnimit në rajon.
Ceremonia e nisjes së punimeve u mbajt sot në prani të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe zyrtarëve të MKRS-së, Iber Alaj, Fidan Shatri dhe Florim Kryeziu. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe drejtori gjeneral i klubit, Artan Osmani, dhe anëtarë të stafit teknik të klubit, të cilët vlerësuan këtë hap si një moment kyç në modernizimin e infrastrukturës sportive të klubit.
Faza e parë e projektit, tashmë e përfunduar me sukses, ka përfshirë ndërtimin e zhveshtoreve të reja, hapësirave administrative dhe një fushe stërvitore moderne.
Në fazën e dytë, që ka nisur tashmë, është planifikuar ndërtimi i hapësirave të akomodimit për skuadrën dhe akademinë, një qendër fitnesi si dhe një restorant brenda kompleksit. Një risi e kësaj faze është instalimi i paneleve diellore dhe pompave termike, që do ta bëjnë të gjithë kompleksin të funksionojë me energji të gjelbër dhe të qëndrueshme – duke e kthyer në një shembull të zhvillimit të qëndrueshëm sportiv në nivel rajonal.
Gjatë ceremonisë, drejtori i Drejtorisë për Sport, Ibër Alaj, prezantoi shkurtimisht edhe planet për fazën e tretë dhe përfundimtare të projektit, e cila pritet të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2026. Kjo fazë përfshin ndërtimin e një fushe të mbyllur (indoor), një fushe me bar natyral, si dhe një fushe të vogël për grupmoshat 9–13 vjeç.
Me përfundimin e projektit, FC Prishtina do të disponojë një kompleks stërvitor të nivelit të lartë, me kapacitete të plota për përgatitjen e të gjitha grupmoshave, duke kontribuar në zhvillimin e talenteve të reja dhe përmirësimin e kushteve për futbollin në kryeqytet.
Klubi ka shprehur mirënjohje ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministrit Çeku për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti madhor për sportin kosovar.