Armend Dallku

Armend Dallku

Vushtrria ka shënuar fitore të madhe në derbin e javës ndaj liderit të tabelës, Feronikelit 74, në stadiumin “Ferki Aliu”. Një supergol nga Leutrim Islami vendosi fatin e ndeshjes, duke i dhënë vushtrriasve tri pikë të arta në garën për kreun e klasifikimit.

Kjo ishte humbja e dytë sezonale për Feronikelin – e para që nga java e parë kur ishte mposhtur nga Vëllaznimi. Vushtrria, nga ana tjetër, ka bërë një hap të madh përpara, duke u afruar në vetëm një pikë nga dy pozitat e para të tabelës.

Pas ndeshjes, për Kërlaçki, foli trajneri i Vushtrrisë, Armend Dallku, i cili u shpreh i kënaqur me performancën e skuadrës dhe veçanërisht me reagimin e autorit të golit, Leutrim Islami.

“Jemi të kënaqur me fitoren, sidomos që kishim të bënim me liderin e klasifikimit – një ekip shumë simpatik. Ishim të kujdesshëm gjatë gjithë ndeshjes që të mos pësonim gol dhe kishim besim se do ta ndëshkonim në një moment”, tha Dallku.

Ai shtoi se goli i Islamit kishte një domethënie të veçantë për të dhe për ekipin:
“Jam dyfish i gëzuar për Islamin, sepse kishte një javë të vështirë pas ndeshjes me Trepçën ’89, ku nga një pozicion shumë i mirë nuk kishte arritur të shënonte. Kemi punuar gjatë tërë javës për këtë – dhe ja ku erdhi edhe momenti i tij. Më bëri shumë krenar.”

Dallku theksoi se skuadra duhet të mbetet me këmbë në tokë:
“Jemi të përqendruar që të kthehemi menjëherë në stërvitje, t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të arrijmë objektivin që kemi përpara.”

Në javën e 12-të, Vushtrria do të udhëtojë në Prishtinë për t’u përballur me 2 Korrikun, në një tjetër ndeshje të rëndësishme për ambiciet e saj sezonale.