Të premten nis java e 15-të e Ligës së Parë. Dinamo në Ferizaj pret Trepçën ’89 me fillim nga ora 13:00 në transmetim televiziv.
Dinamo, në pozitën e 4-të, 28 pikë. Trepça ’89, në pozitën e 5-të, 27 pikë.
Dinamo ka fituar 4 ndeshjet e fundit dhe ka një fitore më shumë se “Minatorët” – 8 me 7. Trepça ’89 ka më së paku humbje në kampionat, së bashku me liderin Vushtrrinë – vetëm një.
Ekipi i Gani Sejdiut, përveç humbjes në javën e 5-të në shtëpi me Tefik Çangën, është 10 ndeshje pa humbje – ka arritur 6 fitore dhe 4 barazime. Në fakt, janë barazimet ato që nuk e kanë lejuar të jetë më lart në klasifikim – nga 6 sosh, sa ka më së shumti në Ligë, aq sa kanë edhe Liria, Ramiz Sadiku dhe Istogu.
Dinamo ka shënuar 21 gola, por Trepça ’89 me 32 gola është skuadra bindshëm më efikase në Ligën e Parë. Pas saj është Vushtrria me 4 gola më pak – 28. 89-shi ka edhe goldallimin më të mirë në Ligë, +18, e ndjekur po ashtu nga lideri, Vushtrria me +15.
Dinamo si vendase nuk ka pësuar humbje – ka 4 fitore dhe 3 barazime. Trepça ’89 nuk ka pësuar si mysafire, por ka arritur vetëm 2 fitore dhe 5 barazime. Po ashtu, kanë mbrojtjen e dytë më të mirë si mysafire – kanë pësuar vetëm 5 gola, ndërsa prijne Vëllaznimi e Ramiz Sadiku me vetëm nga 4 gola të pësuar.
Por, Dinamo, së bashku me Feronikelin, janë skuadrat më të “çelikta” – kanë pësuar nga vetëm dy gola. Ndërsa Dinamo, si vendase, ka sulmin më të dobët nga skuadrat sipër tabelës, me vetëm 8 gola të shënuar. Shembull, 89-shi si vendas ka shënuar 22 gola!


