Tahir Batatina i zhgënjyer me gjykimin pas humbjes ndaj Dritës: “Një arbitrim korrekt do të na siguronte rezultat pozitiv”.

Në një prononcim pas ndeshjes për Art Media nga Gjilani, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka shprehur pakënaqësitë e tij të thella ndaj gjykimit pas humbjes që skuadra e tij pësoi nga Drita. Ai theksoi se vendimet arbitrare ndikuan në rrjedhën e ndeshjes dhe u shpreh i bindur se me një gjykim më të drejtë, Llapi do të kishte dalë me rezultat më të favorshëm.
“Edhe pas ndeshjes me Prishtinën kemi pasur arsye për të reaguar ndaj referimit, ndonëse fituam. Kur ka gabime në favorin tonë, reagimet janë të menjëhershme, por askush nuk flet kur dëmtohemi realisht nga vendimet e gjyqtarëve”, deklaroi Batatina.
Ai veçoi një rast konkret gjatë sfidës me Dritën, të cilin e konsideroi të pakuptimtë dhe të gabuar në interpretim, duke shtuar: “I njëjti gjyqtar që gaboi në atë ndeshje, sot ishte në VAR. Nëse dikush e quan penallti atë situatë, pas 7 vitesh shkollim si trajner, unë nuk kam parë kurrë që një rast i tillë të vlerësohet në atë mënyrë.”
Batatina përfundoi se arbitrat duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe të mbajnë standarde të njëjta për të gjitha skuadrat.
DRITA – LLAPI
DUKAGJINI – MALISHEVA
PRISHTINA – GJILANI
