Granit Xhaka (33) është rikthyer në Premier League si protagonist dhe golashënues. Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës barazoi rezultatin në ndeshjen ndaj Evertonit, duke realizuar golin e parë për Sunderland vetëm 43 sekonda pas nisjes së pjesës së dytë.
Ish-mesfushori i Arsenalit shënoi për herë të fundit në Angli në fund të majit 2023, me një dygolësh ndaj Wolves. Tashmë, pas dy viteve në Bundesliga me Bayer Leverkusen, Xhaka shkëlqen sërish në ishull.
Pak më shumë se një javë më parë, pas fitores 2-1 kundër Chelseat, “Sky UK” e kishte cilësuar Xhakën si “transferimin më të mirë të sezonit”. Tani, ai merr një tjetër vlerësim të madh, këtë herë nga legjenda e Premier League, Jamie Carragher.
“Xhaka ishte absolutisht fantastik”, tha Carragher pas ndeshjes ndaj Evertonit. “Sot ishte mbi të gjithë të tjerët në fushë.”
Madje, para ndeshjes, eksperti i “Sky” ishte shprehur: “A ka ndonjë tjetër në Premier League me ndikim si ai? Nuk mendoj.” Ai e përforcoi qëndrimin e tij: “Xhaka është transferimi më i mirë i sezonit.”
Xhaka: “Nuk e di kurrë ku të çon futbolli”
Pas ndeshjes, Xhaka nuk komentoi shumë për golin. Ai theksoi se skuadra e tij e meritonte të paktën një pikë:
“Nuk patëm një seancë të mirë stërvitore të dielën. E nisëm ndeshjen njësoj si stërvitjen, por më pas u përmirësuam.”
Transferimi në Angli pas dy sezonesh në Gjermani nuk ishte i planifikuar për të. “Por në futboll, nuk e di kurrë se ku do të përfundosh,” tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se ka përfituar shumë gjatë qëndrimit në Leverkusen, veçanërisht nga puna me trajnerin Xabi Alonso. “Kthimi këtu më bën shumë të lumtur.”
Granit Xhaka shënon golin e parë me Sunderlandin në Premier League