Prishtina - Drita

Ndeshja e shumëpritur ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e paraparë të zhvillohej të hënën më 10 nëntor, është shtyrë për një afat të pacaktuar, ka njoftuar klubi gjilanas.

Sipas njoftimit zyrtar, arsyeja e shtyrjes është thirrja e dy futbollistëve të Dritës në përfaqësueset e tyre kombëtare. Faton Maloku është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës, ndërsa Ibrahim Salifu nga Kombëtarja e Beninit.

“Ju njoftojmë se ndeshja e planifikuar për të hënën ndaj FC Prishtina shtyhet për një afat të pacaktuar”, thuhet në komunikatën e klubit. “Klubi Drita u uron suksese të dy lojtarëve tanë në përfaqësimin e vendeve të tyre dhe do të njoftojë me kohë për datën e re të zhvillimit të ndeshjes.”

Data e re e derbit pritet të konfirmohet nga organet përkatëse të garës në ditët në vijim.