
FIFA ka vendosur një sanksion ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) pas sjelljeve të papranueshme të tifozëve gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 kundër Andorrës, e zhvilluar më 10 qershor në Serbi.
Sipas njoftimit zyrtar të FSS, Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka gjobitur federatën me 50,000 franga zvicerane dhe ka urdhëruar mbylljen e 15% të tribunave pas portave (rreth 8,100 vende) për ndeshjen e ardhshme kualifikuese në shtëpi më 9 shtator kundër Anglisë, që do të luhet në Beograd.
Në deklaratën e saj, FSS bëri thirrje për lojë të ndershme dhe mbështetje të respektueshme nga tifozët, duke theksuar: “Jemi nën vëzhgimin e FIFA-s dhe UEFA-s. Ka zero tolerancë për sjellje të caktuara.”
Njoftimi zbulon edhe një statistikë shqetësuese: nga viti 2021 deri në 2025, FSS ka paguar mbi 703,000 euro në gjoba, shumë që i afrohet totalit të gjobave të periudhës 2006–2020.
Vetëm ndeshjet kundër Zvicrës, Spanjës dhe Danimarkës kanë sjellë 259,500 euro në gjoba, prej të cilave 119,750 euro u dhanë pas ndeshjes në Zyrih ndaj Zvicrës.
“Sa fusha futbolli do të kishim ndërtuar me ato para?” pyet me shqetësim FSS.
Për më tepër, Serbia tani rrezikon masa edhe më të rënda, përfshirë mundësinë që ndeshja kundër Shqipërisë më 11 tetor të zhvillohet pa praninë e tifozëve.