Malisheva - Prishtina

Të shtunën zhvillohen dy ndeshje të vlefshme për javën e 14-të në Superligën e Kosovës në futboll. FC Prishtina e Re pret FC Dritën në Lipjan nga ora 13:00, ndërsa në mbrëmje, Prishtina përballet me Malishevën në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 18:00.

Prishtina e Re – Drita

(13:00, stadiumi “Sami Kelmendi”, Lipjan)

Pavarësisht angazhimeve në garat evropiane, Drita vazhdon edhe sfidat në kampionat. Trajneri Zekirija Ramadani dhe futbollisti Blerton Sheji kanë folur për ndeshjen ndaj Prishtinës së Re, duke theksuar se përqendrimi maksimal është i domosdoshëm.

Sheji u shpreh se kundërshtari nuk duhet nënvlerësuar, pasi është skuadër që lufton për pikë deri në fund:

“Jemi përgatitur mirë për ndeshjen dhe synojmë të bëjmë një paraqitje pozitive për të arritur fitoren”, tha ai.

Trajneri Ramadani theksoi se objektivi kryesor është marrja e tre pikëve, duke shtuar se çdo rezultat tjetër do të ishte zhgënjyes për ekipin e tij. Ai konfirmoi se disa lojtarë janë rikuperuar dhe janë kthyer në skuadër, ndërsa mungesat përfshijnë Manajn dhe ndoshta Faton Malokun.

Duke folur edhe për përballjen e radhës në Ligën e Konferencës ndaj Shkëndijës së Tetovës, Ramadani tha se skuadra është e fokusuar te performanca dhe jo atmosfera festive:

“Festë do të ketë jashtë fushës, por për ne, fokusi është te ndeshja dhe përpjekja për të marrë një tjetër fitore.”

Ndërsa, Shpëtim Babaj që ishte emëruar kryetrajner i Prishtinës së Re që nga humbja me Dritën – nga ai moment, në tetë ndeshjet e fundit, debutuesit kanë arritur të marrin vetëm 3 barazime dhe 5 humbje

Prishtina – Malisheva

(18:00, stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë)

Takimi i dytë i së shtunës sjell përballjen mes Prishtinës dhe Malishevës, një duel që ka prodhuar sfida të forta në sezonet e fundit. Që prej hyrjes në elitë, Malisheva ka qenë një kundërshtar i vështirë për Prishtinën, me bilancin prej 6 fitoreve, 7 humbjeve dhe 4 barazimeve.

Në këtë edicion, Malisheva ka grumbulluar më shumë pikë si mysafire (13), një më shumë se Prishtina e cila edhe si vendase (14), është e dyta prapa Dritës me 15 pikë.

Prishtina vjen nga dy ndeshje pa fitore – humbje në Podujevë dhe barazim pa gola me Gjilanin – skuadër me të cilën trajneri Elon Berisha kishte debutuar me humbje.

Ndërsa, sulmuesi i Prishtinës, Mario Ilievski ka theksuar gatishmërinë e ekipit:

“Jemi gati për ndeshjen. Do të japim maksimumin për të marrë tri pikët dhe shpresoj që tifozët të na mbështesin si gjithmonë.”