Basketbollisti i ri kosovar, Dion Sheqiri (22), është zyrtarisht lojtari më i ri i skuadrës italiane Solbat Piombino, që garon në Serie B, për sezonin e ardhshëm, lajmëron Asistonline, përcjellë Kërlaçki.
Qendra 208 centimetra e gjatë vjen nga Sigal Prishtina, me të cilën sezonin e kaluar zhvilloi 23 ndeshje në Superligë. Sheqiri u dallua veçanërisht në Ligën Unike, ku në pesë paraqitje regjistroi mesatarisht 12.6 pikë, 6.2 kërcime dhe 1.6 asistime për ndeshje, duke qenë pjesë edhe e finales së këtij kompeticioni në vitin 2025.
Në arenën ndërkombëtare, 22-vjeçari ka përfaqësuar Kosovën në kategoritë e reja dhe është grumbulluar disa herë edhe nga përfaqësuesja A. Më herët, ai ka luajtur në Itali me Triesten, ndërsa në Kosovë është paraqitur edhe me Pejën.
Ky transferim në Itali shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e Sheqirit, i cili synon të konsolidohet si një prej talenteve premtues të basketbollit evropian.