I njohur dikur si San Paolo Stadium, arena legjendare e Napolit e rindërtuar në vitin 1985 dallonte për dizajnin e saj unik në formë të pjatës së betonit dhe atmosferën e papërmbajtur që mbante gjallë ndeshjet e viteve të arta. Sot, stadiumi mban emrin e ikonës së futbollit Diego Armando Maradona.
Kohët e fundit, autoritetet kanë nisur studimet për një projekt rinovimi, por këtë javë UEFA e përjashtoi impiantin nga lista e stadiumeve pritëse të EURO 2032 (që do të mbahet në Turqi dhe Itali), me argumentin se nuk plotëson standardet e kërkuara — madje as nën propozimet aktuale të rinovimit.
Nga Arenaccia te “Diego Armando Maradona” – historia e shtëpive të Napolit
Para se të mbërrinte në tempullin e sotëm të quajtur Diego Armando Maradona, Napoli ka kaluar nëpër katër stadiume që tregojnë historinë dhe evolucionin e klubit.
Hapat e parë të futbollit napolitan u hodhën në Campo Sportivo dell’Arenaccia (1909 – rreth 1930), një fushë e thjeshtë me bar natyral, jo larg stacionit të trenit. Aty luanin fillimisht Internazionale Napoli dhe më pas FBC Napoli, përpara bashkimit në vitin 1926 që krijoi SSC Napoli. Infrastruktura ishte modeste, por pasioni i tifozëve ishte i madh.
Epoka e re nisi me Stadio Ascarelli (1930 – 1942), stadiumi modern i kohës, me kapacitet rreth 20 mijë vende, ndërtuar posaçërisht për klubin dhe emëruar sipas presidentit Giorgio Ascarelli. Fatkeqësisht, ai u shkatërrua gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore.
Pas luftës, Napoli u strehua në Stadio Arturo Collana (vite 1940 – 1959), në lagjen Vomero. Megjithatë, kapaciteti i kufizuar nuk e përballonte dot etjen e një qyteti të tërë për futboll.
Zgjidhja erdhi më 6 dhjetor 1959 me inaugurimin e Stadio San Paolo, ku ndeshja hapëse ishte ndaj Juventusit. Stadiumi u zgjerua dhe modernizua për Kupën e Botës 1990, duke u bërë një nga simbolet e qytetit. Pas vdekjes së Diego Armando Maradonës në vitin 2020, ai mori emrin e legjendës argjentinase. Në këtë fushë, Napoli fitoi dy titujt e parë të Serie A (1986–87 dhe 1989–90) me Maradonën, si dhe titullin e tretë historik në sezonin 2022–23.
Nga fusha e thjeshtë e Arenaccia-s deri te stadiumi modern që mban emrin e idhullit më të madh të klubit, historia e Napolit është edhe historia e shtëpive ku ai ka rritur ëndrrat e tifozëve të tij.