Diant Ramaj
Ramaj refuzon Kosovën: “Nuk është temë për të”!
Portieri i Borussia Dortmund, Diant Ramaj (24), i cili këtë sezon është i huazuar te 1. FC Heidenheim, nuk do të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.
Sipas gazetës gjermane Bild, Ramaj ka mohuar zërat për një thirrje të mundshme nga Kosova, ndonëse emri i tij ishte përmendur si një kandidat i mundshëm për listën e trajnerit Franco Foda – ish-reprezentues i Gjermanisë – për ndeshjet vendimtare të muajit nëntor ndaj Sllovenisë (më 15 nëntor) dhe Zvicrës (më 18 nëntor), në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Gazetari sportiv Ylber Kelmendi kishte raportuar se Ramaj pritej të grumbullohej nga Kosova, por agjenti i portierit, Jürgen Schwab, i mohoi prerazi këto zëra.
“Raportimet janë krejtësisht të pavërteta. Interesi nga Kosova është i njohur dhe kjo e gëzon Diantin, por ai e ka bërë të qartë: nuk do të luajë për Kosovën. Kjo nuk është një temë për të”, – deklaroi Schwab për Bild.
Ramaj, ish-portier i ekipeve zinxhir të Gjermanisë, pati një ngritje të shpejtë në karrierë pas transferimit nga Eintracht Frankfurt te Ajax Amsterdam, ku për një periudhë ishte portier titullar në sezonin 2023/24. Borussia Dortmund e bleu më pas për 5 milionë euro, por e huazoi fillimisht te FC Copenhagen dhe tani te Heidenheim. Ai ka kontratë me Dortmundin deri në vitin 2029, ndërsa Gregor Kobel – portieri kryesor i skuadrës – ka kontratë deri në 2028.
Pavarësisht formës së mirë personale në Heidenheim – ku ka pritur 68 për qind të goditjeve në portë dhe ka pasur një përqindje mbresëlënëse prej 100% në ndërprerjen e krosimeve – skuadra ndodhet aktualisht në vendin e 17-të në Bundesliga. Këtë fundjavë, Heidenheim përballet me Hoffenheim në “derbin e fshatit”, ku Ramaj synon të ruajë për herë të parë portën e paprekur këtë sezon.