Andrea Stramaccioni

Andrea Stramaccioni

Andrea Stramaccioni, ka treguar një akt të vërtetë guximi duke shpëtuar dy vajza adoleshente nga mbytja gjatë pushimeve me familjen e tij.

Ngjarja ndodhi në një ditë relaksi në një plazh në Apulia (Itali), ku Stramaccioni vuri re dy vajza, 17 dhe 19 vjeç, që po përpiqeshin të përballonin dallgë të fuqishme. Pas sinjalizimeve të urgjencës nga rojet e plazhit, ai u hodh menjëherë në det, duke kuptuar se roja nuk mund t’i shpëtonte të dyja njëkohësisht. Falë ndërhyrjes së tij vendimtare, të dyja vajzat arritën të dalin të sigurta në breg.

“Po qëndroja nën çadër me gruan dhe fëmijët. Në një moment, vura re një grumbull njerëzish pranë bregut. Një nga rojet ishte në ujë dhe fishkëlleu për të tërhequr vëmendjen. Dy vajza po lëviznin duart dhe bërtisnin. E kuptova menjëherë rrezikun dhe u hodha në det. Roja më tha të shkoja te vajza më e madhe, ndërsa ai u nis drejt tjetrës. Uji ishte i thellë, dallgët të fuqishme. I thashë të qetësohej, të shtrihej mbi shpinë dhe i premtova se për pesë minuta gjithçka do të përfundonte. Dhe kështu ndodhi”, ka treguar Stramaccioni.

Por situata nuk kishte përfunduar këtu. Kur të dyja ishin pranë bregut, vajza më ra në shok dhe roja nuk po ia dilte vetëm.

“U ktheva menjëherë. Ishte e tmerrshme, ajo kishte pirë shumë ujë. Ndërkohë, anija e shpëtimit mori rojen dhe u përpoq të na afrohej, por ishim shumë pranë shkëmbinjve. Nga bregu na hidhnin litarë, por nuk mund t’i kapnim. Fillova të trembesha, sidomos sepse ajo më tërhiqte poshtë. Ishte e bindur se do të vdiste. Nuk jam hero apo superman. Edhe unë, në një moment, isha në vështirësi të madhe, por kisha forcat fizike dhe mendore për një situatë të tillë dhe ndjeva se duhej të ndërhyja. Djali im më pyeti, ‘Babi, po sikur të kishe vdekur?’ E bëra nga instinkti mbrojtës – sikur të ishte gruaja ime në ujë”, rrëfeu ai për GOAL, përcjellë Kërlaçki.

Andrea Stramaccioni ka drejtuar Interin gjatë sezonit 2011/2012 dhe ka qenë trajner i klubit saudit Al-Gharafa, deri në shkarkimin e tij në tetor 2022.