Anwil Włocławek – Rottweilerët polakë përballë Bashkimit në Europë

anwil włocławek
Anwil Włocławek

Basketbolli kosovar do të ketë nesër një sfidë të madhe ndërkombëtare. Në Prizren, në palestrën “Sezai Surroi”, KB Bashkimi përballet me gjigantin polak Anwil Włocławek në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup 2025/26.

anwil włocławek
anwil włocławek

Klubi i trofeve dhe historisë

Anwil Włocławek është një nga emrat më të mëdhenj të basketbollit polak. I themeluar në vitin 1990, ekipi ka fituar:

  • 3 tituj kampion në Poloni (2003, 2018, 2019)

  • 4 Kupa të Polonisë

  • 3 Superkupa

  • dhe mbi të gjitha, FIBA Europe Cup 2023, duke hyrë në histori si klubi i parë polak që fiton një trofe ndërkombëtar.

Skuadra luan ndeshjet e saj në Hala Mistrzów (4,200 ulëse) dhe mban nofkën “Rottweilerët”, duke u identifikuar me stilin agresiv dhe luftarak.

Sezoni i fundit

Në edicionin 2024/25, Anwil dominoi sezonin e rregullt në Orlen Basket Liga, duke e mbyllur në vendin e parë. Por ëndrra për titullin e katërt u shua në gjysmëfinale, ku u eliminua nga Legia Warszawa, që më pas u shpall kampione e Polonisë.

Roster-i aktual (2025/26)

Ekipi i drejtuar nga trajneri Grzegorz Kożan kombinon përvojën e yjeve me energjinë e talenteve të rinj. Lojtarët kryesorë për këtë sezon janë:

  • Elvar Friðriksson – organizatori islandez, motor i lojës.

  • A.J. Slaughter – shënues me eksperiencë, i natyralizuar me përfaqësuesen e Polonisë.

  • Michał Michalak – ylli vendas dhe lojtari më i mirë polak i sezonit të kaluar në PLK.

  • Eric Lockett – krah i fuqishëm me kontribut në të dyja anët e fushës.

  • Nijal Pearson – shënues i besueshëm nga SHBA.

  • Justas Furmanavičius – lojtar lituanez me rol të madh në krah.

  • Isaiah Mucius – lojtar atletik me forcë në tranzicion.

  • Mate Vucić – qendra kroate, përvojë dhe fizikalitet nën kosh.

  • Kacper Borowski dhe Dawid Słupiński – lojtarë polakë që shtojnë thellësi në “frontcourt”.

Ky kombinim i përvojës ndërkombëtare me cilësinë vendore e bën Anwil-in një kundërshtar të fortë në çdo garë.

Pritshmëritë nga ndeshja me Bashkimin

Për Bashkimin, kjo është një mundësi historike për të treguar nivelin e basketbollit kosovar përballë një rivali me reputacion europian. Për Anwil-in, kualifikimi në fazën e grupeve është një detyrë minimale, ndërsa për Bashkimin, një fitore do të ishte një nga sukseset më të mëdha të klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare.

Ndeshja e parë luhet nesër në Prizren, ndërsa kthimi në Poloni do të vendosë përfundimisht se kush do të vazhdojë rrugëtimin në FIBA Europe Cup.

dardan berisha - anwil włocławek
dardan berisha anwil włocławek

Anwil Włocławek dhe lidhja e veçantë me basketbollin kosovar

Ky klub ka një lidhje të veçantë edhe me Kosovën, pasi fanellën e tij e kanë veshur dy lojtarë të njohur të Kombëtares kosovare: Dardan Berisha dhe Shawn Jones. Berisha, kapiteni historik i Kosovës, ka qenë një nga liderët e Anwil-it në sezonet e kaluara, duke u dalluar për shënimet dhe për rolin e tij organizues. Ndërsa Shawn Jones, qendra amerikane e natyralizuar kosovare, la gjurmë me forcën e tij nën kosh dhe me kontributin në fazën defansive.