Goran Ivanisheviq, ish-fitues i Wimbledonit 2001 dhe një nga emrat më të mëdhenj të historisë së tenisit kroat, nuk është më trajneri i Stefanos Tsitsipas, siç njoftoi vetë tenisti grek një natë më parë. Ivanisheviq, i njohur për stilin e tij agresiv dhe shërbimin e fuqishëm, ka drejtuar më parë edhe kampionë si Novak Djokoviç, me të cilin fitoi disa Grand Slam-e.

Stefanos Tsitsipas, 26-vjeçar nga Greqia, është një nga tenistët më të talentuar të brezit të ri, i renditur vazhdimisht në top 10 të botës, dhe finalist i Roland Garros në vitin 2021. Karriera e tij është e lidhur ngushtë me babain dhe trajnerin e tij afatgjatë Apostolos Tsitsipas, me të cilin ka punuar që prej fillimeve.
Ivanisheviq foli për herë të parë për ndarjen në emisionin hyrës të turneut ATP Umag, në Kroaci, duke komentuar me humor ndarjen nga tenisti grek,
“Duhej të isha në Toronto, por do jem në Çiovo (Kroaci)…”
Më pas, ai sqaroi më gjerë prapaskenat e ndarjes:
“Dje folëm për ta mbyllur këtë histori. Biseduam bukur, kjo çështje zvarritej prej dhjetë ditësh. Nuk ka mllef mes nesh, falënderuam njëri-tjetrin. Ai vendosi të rikthehet te babai i tij si trajner. Sinqerisht e mendoj që i vetmi njeri që mund ta stërvisë atë, është babai i tij”.
Ivanisheviq theksoi se me të atin Tsitsipas ka zhvilluar tenis më të mirë dhe se ky është një projekt familjar që funksionon më mirë për të.
“Ia uroj më të mirat. Është një lojtar shumë i mirë për të qenë aty ku ndodhet. Por, siç i thashë dje, nuk do ndryshojë asgjë derisa të rregullojë disa gjëra në kokën e tij”.

“Tani më nuk mund të thuash asgjë…”
Ivanisheviq komentoi edhe deklaratat e mëparshme kritike që kishte dhënë për Tsitsipas, veçanërisht gjatë Wimbledonit, kur ende ishte trajneri i tij.
“Gjithçka që thashë, ia kam thënë edhe personalisht. Nuk kam folur pas shpine. Por sot është bërë problem të thuash diçka. E bëra për efekt, sepse kjo është natyra e kësaj gjenerate”, – u shpreh ai, përcjellë Kërlaçki.
Ai shtoi se problemi kryesor i Tsitsipas është mendësia:
“Të gjithë e shohin, edhe ai vetë e ndien. Nëse nuk je i përgatitur mendërisht dhe fizikisht për të luajtur disa orë me më të mirët, nuk ke çfarë kërkon në tenis. Në Wimbledon nuk ishte i përgatitur mendërisht. Uroj që ta gjejë rrugën e duhur”, ka mbyllur prononcimin ikona kroate e tenisit, Ivanisheviq.