Jannik Sinner po vazhdon të dominojë në fushat me sipërfaqe të fortë në ambiente të mbyllura. Italiani mposhti me lehtësi kanadezin Felix Auger-Aliassime me rezultatin 7-5, 6-1 në Torino, duke regjistruar fitoren e 27-të radhazi në këtë lloj terreni dhe duke mbajtur gjallë serinë e pamposhtur që zgjat tashmë 722 ditë.
Edhe pse Sinner humbi vendin e parë në renditjen botërore këtë javë – pas skadimit të 1,500 pikëve të fituara si kampion i pamposhtur në edicionin e kaluar – ai tregoi sërish forcën e tij absolute në kushtet e preferuara. Në fitoren ndaj Aliassime, ai nuk humbi asnjë set, ashtu si edhe në finalen e Paris Masters 1000, tetë ditë më parë. Kanadezi pati probleme fizike në setin e dytë dhe u desh ndërhyrja e fizioterapistit të turneut.
Sinner nuk ka humbur asnjë set në Torino që prej finales së vitit 2023, ku u mund nga Novak Djokovic – njëkohësisht humbja e fundit në terrene të mbyllura. Që atëherë, ai ka fituar 27 ndeshje rresht në këtë lloj fushe.
Zverev, kundërshtari i radhës
Alexander Zverev është lojtari që i ka rezistuar më së shumti italianit së fundmi, duke i marrë një set në finalen e Vienës. Ata përballen të mërkurën, dhe ndonëse në takimin e fundit – në gjysmëfinalen e Paris Masters – Zverev kishte probleme me kyçin e këmbës, këtë herë pritet të jetë në formë më të mirë.
Sinner fokusohet te titulli – nuk merr pjesë në Davis Cup
Tenisti nga San Candido ka vendosur të mos marrë pjesë në fazën finale të Davis Cup në Bolonja (18-23 nëntor), pasi fokusi i tij i vetëm është triumfi në ATP Finals. Ai ka fituar trofeun e argjendtë në dy edicionet e fundit të këtij kompeticioni dhe sezoni i tij do të mbyllet pikërisht në Torino.